- Published: 10.10.2023.
Kryetari i Kuvendit Jandroković priti Presidenten e Republikës së Kosovës Osmani-Sadriu
Bashkëbiseduesit konfirmuan lidhjet tradicionalisht të forta mes dy vendeve. Marrëdhëniet miqësore dypalëshe karakterizohen me dialog intensiv politik, gjë që konfirmohet edhe me vizitën e parë zyrtare të Presidentes së Kosovës, Osmani-Sadriu, sot në Kroaci. U konkludua se bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet komisioneve parlamentare përgjegjëse për çështjet evropiane dhe angazhimi aktiv i grupeve parlamentare të miqësisë duhet të vazhdojë të forcohet edhe në të ardhmen.
Presidenti Jandroković dhe presidentja Osmani-Sadriu shprehën kënaqësinë e tyre për rritjen e përgjithshme të tregtisë gjatë vitit të kaluar dhe shprehën interesim të ndërsjellë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik. Potenciali për përparime të reja është konfirmuar në fushën e energjisë, transportit, industrisë së mbrojtjes dhe sektorit të IT.
Presidenti Jandroković theksoi se Kroacia vazhdimisht avokon anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës nga ato vende që nuk e kanë bërë këtë deri më tani. Kroacia mbështet rrugën evropiane të Kosovës dhe në këtë kontekst vazhdon të ofrojë mbështetje profesionale, teknike dhe politike.
Në bisedën për incidentin në veri të Kosovës më 24 shtator, presidenti Jandroković e dënoi ashpër atë akt terrorist, ndërsa presidentja Osmani-Sadriu prezantoi në detaje informacionin për sulmin që aktualisht disponojnë institucionet e Kosovës.
Në fund, Kryetari i Kuvendit bëri thirrje për angazhim më të madh të institucioneve të Kosovës në mbrojtjen e pakicës së vogël kroate në Kosovë dhe për hapa konkretë institucionalë përpara për përmirësimin e statusit të tyre politik, juridik dhe social.