Mesazhe të forta mbështetjeje nga Zagrebi për rrugën evropiane të Kosovës

  • Slika
Të martën, më 7 mars 2023, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane Gordan Grlić Radman priti zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës Donika Gërvalla-Schwarz në vizitën e saj të parë zyrtare në Republikën e Kroacisë.
 
Në takim u theksuan marrëdhëniet miqësore dhe partneriteti ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, si dhe gatishmëria për përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Ministri Grliq Radman po ashtu theksoi rëndësinë e përmirësimit të pozitës së pakicës kroate në Kosovë, njëherësh diasporës më të vjetër kroate, e cila këtë vit shënon 720 vjetorin e përmendjes së parë të Janjevës në dokumentet zyrtare.
 
“Forumi i Biznesit Kroato-Kosovar i mbajtur së fundmi në Prishtinë, në të cilin morën pjesë përafërsisht 50 kompani kroate dhe rreth 80 kompani kosovare, u dëshmua të jetë një mekanizëm i mirë për përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve tona ekonomike, në të cilat ka potencial të madh”, tha ministri Grliq Radman po ashtu theksoi se marrëdhëniet ekonomike kroato-kosovare janë në një trajektore rritëse, të cilën e tregon edhe këmbimi i përgjithshëm tregtar, i cili në 11 muajt e parë të vitit 2022 është më i lartë për më shumë se 23 përqind.
 
“Kroacia mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë me njohuritë dhe përvojën tonë në proceset e nevojshme reformuese”, tha ministri, duke përshëndetur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për rrugën evropiane dhe vazhdimin e zbatimit të reformave.
 
Ministrja Gërvalla-Schwarz theksoi se Kroacia nuk është vetëm partner strategjik por edhe mik shumë i ngushtë. Ajo shtoi gjithashtu se Kroacia dhe Kosova ndajnë një "histori të gjatë të përbashkët" që përfshin gjithashtu luftën për pavarësi nga Jugosllavia, një "diktaturë komuniste në të cilën Serbia kishte dominimin ekonomik dhe politik".
 
Në përfundim, ministri Grliq Radman iu referua situatës politike në Evropën Juglindore, duke përfshirë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe shtoi se “rruga evropiane e të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, e bazuar në një qasje individuale dhe përmbushje konsekuente dhe të plotë të të gjitha kritereve, është e vetmja rrugë e drejtë." '.
 
“Në kontekstin më të gjerë gjeopolitik, Kosova po dëshmohet të jetë një partner i besueshëm me pikëpamje pro-evropiane në politikën e saj të jashtme”, ka përfunduar ministri Grliq Radman.

News