Me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Kroacisë, Ambasada e Republikës së Kroacisë në Republikën e Shqipërisë organizoi më 25 maj 2026 një pritje solemne në Tiranë, ku morën pjesë më shumë se 150 të ftuar.
Ceremonia u hap me interpretimin e himneve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë nga sopranoja Egzona Bogdani, studente e vitit të fundit të studimeve master në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Të pranishmëve iu drejtua ambasadori i Republikës së Kroacisë në Republikën e Shqipërisë, akademik Zlatko Kramarić, i cili theksoi se Kroacia këtë vit shënon 35-vjetorin e shtetësisë dhe pavarësisë, duke kujtuar rrugën që vendi ka kaluar nga njohja ndërkombëtare dhe Lufta për Atdheun deri te anëtarësimi në NATO, Bashkimin Evropian, eurozonë dhe hapësirën Schengen.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë, ambasadori Kramarić theksoi miqësinë dhe partneritetin e fortë ndërmjet dy vendeve, mbështetjen e Kroacisë për Shqipërinë në rrugën e saj evropiane, si dhe rëndësinë e stabilitetit në Evropën Juglindore. Veçanërisht ai nënvizoi: “Evropa Juglindore e qëndrueshme, demokratike dhe e orientuar drejt Evropës nuk është periferia e Evropës, por një nga parakushtet për sigurinë dhe të ardhmen e saj.”
Në fjalën e tij ai u ndal gjithashtu te sfidat aktuale gjeopolitike, nevoja për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe rëndësia e ruajtjes së vlerave evropiane dhe paqes.
Në pritje morën pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, bashkësive fetare, si dhe përfaqësues të jetës kulturore dhe ekonomike dhe miq të shumtë të Kroacisë në Shqipëri.
Të ftuarit patën mundësinë të vizitonin ekspozitën “Historia e Kravatës”.
Programin e ceremonisë e drejtoi Vanja Gavran, këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kroacisë.
Kremtimi i Ditës së Shtetësisë u organizua me mbështetjen e kompanisë Končar.
News