Nga 17 deri më 20 nëntor 2025, në Tiranë u organizua për herë të parë Java e Kulturës Kroate, nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Kroacisë në Shqipëri dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Bibliotekën Kombëtare, Qendrëne Artit “Agimi” dhe Europe House. Aktiviteti ngjalli interes të madh tek publiku shqiptar dhe trupi diplomatik, dhe u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe bilateral midis dy shteteve.
Java e Kulturës Kroate u hap zyrtarisht më 17 nëntor me “Koncertin e Miqësisë” në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Në një program të pasur dhe të larmishëm, artistë kroatë dhe shqiptarë interpretuan arie operistike të njohura, përfshirë veprat e Verdit, Puccinit, Rossinit, Rachmaninovit dhe Wagnerit, si edhe kompozime të autorëve kroatë Ivan pl. Zajc dhe Ivo Tijardović.
Artistët nga Kroacia ishin: Arijana Gigliani Philipp (soprano), Petra Pia Kartelo (soprano), Jurica Jurasić Kapun (bariton), Jakov Kalajžić (bas) dhe Božo Letunić (piano shoqëruese).
Përfaqësuesit e Shqipërisë: Simona Karafili (soprano), Amelda Papa (mezzosoprano), Denis Skura (tenor), Erlind Zeraliu (tenor), Sokol Hidersha (bariton) dhe Ingrid Pulizo (piano shoqëruese).
Programi u drejtua nga Maestro Dritan Lumshi, me pjesëmarrjen e korit të Teatrit Kombëtar.
Kulmi i mbrëmjes ishte interpretimi i përbashkët i këngës shqiptare “Karnavalet” nga kompozitori Avni Mula dhe këngës kroate “Neka cijeli ovaj svijet” nga muzikali Jalta, Jalta i Alfio Kabiljo, që u prit me ovacione nga publiku.
Ditën e dytë, më 18 nëntor, në Qendrën e Artit “Agimi” u shfaq filmi “A Blue Flower” nga regjizori Zrinko Ogresta. Në përkujtim të Ditës së Kujtesës për Viktimat e Luftës së Atdheut dhe tragjedive të Vukovarit dhe Škabrnjës, shfaqja u hap me një mesazh në ekran dhe një minutë heshtje me thirrjen e ambasadorit Zlatko Kramarić. Programi u zhvillua pa aktivitete shtesë, në shenjë respekti.
Ditën e tretë, më 19 nëntor, Regjimenti i Kravatës nga Zagrebi, i udhëhequr nga Željko Matejčić, zhvilloi një paradë ceremoniale në qendër të Tiranës - nga Sheshi Skënderbej deri te Biblioteka Kombëtare Sotir Kolea, ku në orën 13:00 u hap zyrtarisht ekspozita mbi historinë e kravatës. Në hapje folën ambasadori Zlatko Kramarić dhe Franjo Bušić në emër të Academia Cravatica. Pas ekspozitës, regjimenti vazhdoi paradën drejt Katedrales Katolike, Piramidës dhe institucioneve shtetërore, duke përfunduar me një performancë përmbyllëse në sheshin kryesor. Pavarësisht shiut, performanca ngjalli interes të madh te qytetarët dhe turistët.
Aktiviteti përfundoi më 20 nëntor në Europe House me ligjëratën e filozofit dhe profesorit universitar kroat Prof. Dr. Pavo Barišić, me titull “Building the Europe of Peace - Croatia’s Role”. Prof. Barišić foli mbi vizionin e Europës si një kontinent paqeje, rolin e Kroacisë në promovimin e saj dhe politikat e zgjerimit dhe kohezionit të Bashkimit Europian, pas së cilës u zhvillua një diskutim.
Java e Kulturës Kroate në Shqipëri u njoh si një shembull i shkëlqyer i diplomacisë kulturore dhe si bazë e fortë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë në fushën e kulturës, arsimit dhe diplomacisë publike.
News