Ministarstvo vanjskih i europskih poslova

Presidenti Milanović pas takimit me Presidenten e Kosovës: Serbia duhet të japë përgjigje për ngjarjet në veri të Kosovës

“E gjithë përkrahja për Kosovën, që ta pranojnë së paku në komunitetin e shteteve evropiane. Unë jam duke punuar në këtë dhe këtë e them sepse Gjykata Ndërkombëtare në Hagë që në vitin 2010 - me kërkesë të Serbisë - ka thënë se janë plotësuar të gjitha kushtet për njohjen ndërkombëtare dhe shtetësisë së Kosovës. Pas kësaj, disa nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat e kushtëzuan njohjen e Kosovës pikërisht me një mendim të tillë, ranë në një heshtje shumëvjeçare që vazhdon edhe sot e kësaj dite”, tha Presidenti i Republikës Zoran Milanović pas takimit me Presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani Sadria, e cila më 10 dhe 11 tetor po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë.
“Do të ishte mirë që edhe liderët e tjerë, ashtu siç bëra unë në OKB, të bënin thirrje për njohjen e Kosovës. Ai duhet të njihet. Mundohem t'i shikoj gjërat në mënyrë racionale dhe mbi të gjitha në interesin kroat”, shtoi Presidenti i Republikës.
Presidenti Milanović iu referua edhe sulmit të fundit në Banjskë në veri të Kosovës dhe i bëri thirrje Serbisë që të japë përgjigje për atë ngjarje. “Ditët e fundit kemi parë përshkallëzimin e konflikteve dhe aksioneve të rrezikshme në veri të Kosovës, pas të cilave dikush qëndron organizativisht, materialisht, financiarisht - këto janë faktet. Qëndrimet tona janë të qarta, Serbia duhet të japë përgjigje për disa gjëra të dukshme. Këto janë të gjitha gjërat që i kemi parë më herët në histori dhe nuk duam t'i shohim prapë. Dikush është pas kësaj dhe ne duhet të dimë se kush në mënyrë që të mund të vazhdojmë të jetojmë normalisht. Sepse nëse tani nuk ka pasoja, do të thotë se jemi në pritje të një ngjarjeje të tillë të radhës. Dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë”, tha presidenti Milanović.
Në këtë kontekst, presidenti Milanović tha se presidenti serb Aleksandar Vuçić është i detyruar t'u përgjigjet disa pyetjeve: “Uniformat mund të blihen online, por armët nuk mund të blihen në atë mënyrë. Nuk është IKEA, as një park argëtimi. Për t'u përgatitur për një gjë të tillë, duhet të kesh miratimin e liderit suprem ose të paktën të njerëzve të afërt me të. Ngrihen një sërë pyetjesh logjike, të cilave Serbia thjesht duhet t'u japë përgjigje”.
Duke iu përgjigjur pyetjes për përfshirjen e mundshme të Rusisë në ngjarjet në veri të Kosovës me qëllim të destabilizimit të rajonit, presidenti Milanović u përgjigj: “Nuk e di nëse Rusia ka ndonjë lidhje me sulmin në Banjskë, por ngjarjet në Kosovë sigurisht që i konvenojnë. Më habit më shumë Serbia, e cila sikur nuk është e vetëdijshme se ka humbur gjithçka që mund të humbiste në drejtim të zhvillimit të një kombi. Një politikë më e shëndetshme, më racionale do të ishte më e dobishme për ta. ˝Serbia sigurisht që nuk kontribuon në mënyrë konstruktive në marrëdhëniet me vendet fqinje” në deklaratën e saj, Presidentja e Republikës së Kosovës ka theksuar se Kroacia është një mike, aleate dhe partnere e madhe e Kosovës. “Ishit në anën tonë kur u kërcënua mbijetesa, na përkrahni edhe sot kur Kosova është një nga demokracitë më të konsoliduara në rajon”, tha presidentja Osmani, duke shtuar se në rajon ende ka forca që duan të kthehen në te histori.
 
“Kosova është e vendosur të vazhdojë të ecë përpara dhe ne jemi të lumtur që kemi aleatë si Kroacia. Presidenti Milanović vazhdon të jetë zëri ynë në forumet ku nuk jemi të pranishëm, por ku përpiqemi të jemi të pranishëm: në NATO, në familjen e përbashkët të shteteve evropiane dhe në OKB, ku Presidenti Milanović u bëri thirrje të fuqishme, të gjitha vendeve që nuk e kanë bërë këtë, pra të njihet realiteti i pakthyeshëm i ekzistencës së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. ˝Dua t'ju falënderoj thellësisht në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha presidentja e Kosovës.
Ajo theksoi se Kosova e sheh Kroacinë si një nga aleatët kryesorë të saj, jo vetëm në rajon. “Ne ndajmë një pjesë të historisë së përbashkët, fitimin e lirisë dhe pavarësisë. Qindra qytetarë shqiptarë luftuan së bashku me qytetarët e Kroacisë për të arritur lirinë dhe pavarësinë e Kroacisë. Kroacia është pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe ushtarët kroatë kanë shërbyer në tridhjetë kontingjente. Dua të falënderoj Kroacinë për kontributin e saj në stabilitetin dhe paqen tonë”, tha presidentja Osmani në deklaratën e saj, duke shtuar se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë është gjithashtu i rëndësishëm.

News