Trashëgimia e miqësisë së Milan Shuflait mes kroatëve dhe shqiptarëve

Ekzistojnë shumë lidhje miqësie të vërteta mes popullit kroat dhe shqiptar. Milan Shuflai është prej më inspiruesve dhe më të qëndrueshme. Shuflai ishte një patriot kroat, politikan, historian me prirje prej shkenctari – dhe një mik i madh i kombit shqiptar. Ai ishte i guximshëm dhe i patrembur. Për shkak të bindjeve të tij ai ishte gati të paguante çmimin më të shtrenjtë. Për shkak të patriotizmit të tij pasionant gjatë shtetit të parë jugosllav – Mbreteria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve e cila u themelua ne 1918 – Shuflai u persekutua dhe u denua me 3.5 vjet burgim. Aristokrat i lindur, Shuflai lindi në Lepoglavë, Kroaci, më 9 nëntor 1879. Ishte me fat sepse lindi në një familje e cila kishte mundësi ti ofronte atij edukimin e duhur duke ushqyer talentet e tij. Ai studjoi histori dhe filologji klasike në Universitetin e Zagrebit, ishte një poliglot i vërtetë, ishte padyshim një gjeni i linguistikës. Ai zotëronte shumë gjuhë të huaja natyrisht përfshirë dhe shqipen. Mori gradën Doktor (Phd) në këtë universitet duke u specializuar më tej në Vjenë dhe Budapest në historinë e Ballkanit. Fokusi i kërkimeve të tij shkencore ishte në historinë mesjetare të Kroacisë dhe historinë e popullit shqiptar. Përveç dashurisë së tij të palëkundur për atdheun dhe popullin e tij, ai ishte mjaft i apasionuar me shqiptarët dhe në hulumtimet në historinë e Shqipërisë. Kontributi i Shuflait në Albanologji mbetet një nga trashëgimitë më inspiruese dhe një dëshmi origjinale për miqësinë mes popullit kroat dhe atij shqiptar. Sëbashku me Ludvig fon Taloci dhe Konstantin Jireçek, Shuflai botoi dy volume të së ashtuquajturës “Codex albanicus”, koleksion arkivor i quajtur ”Akte dhe Çështje Diplomatike, një ilustrim i Mesjetës në Shqipëri”. Volumi i parë u botua ne Vjenë në 1913, dhe i dyti në 1918. Të dy volumet mbulojnë periudhën nga 344 – 1406. Në 1916 Shuflai botoi “Biologjia e pemës gjenetike të shqiptarëve” dhe “Gjendja kishtare në Shqipërinë para-osmane”. Ne 1924 ai botoi dy libra rreth historisë së Shqipërisë – “Historia e veriut te Shqipërisë”, dhe “Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë gjatë mesjetës” Një vit më vonë, në 1925 ai botoi “Serbët dhe Shqiptarët: Simbioza e tyre gjatë mesjetës”. Pasi që, qeveria shqiptare dhe Akademia e Shkencave në Vjenë kontraktuan Milan Shuflain për të shkruar vëllimin e tretë të “Codex albanicus”, atij filluan ti vinin kërcënime nga qarqet e Serbisë së Madhe për shkak të përkushtimit të tij në hulumtimet mbi historinë e Shqipërisë. Duke i nënvleftësuar kërcënimet, ai udhetoi në 1931 drejt Shqipërisë për të firmosur një kontratë me qeverinë shqiptare për të shkruar “Acta Albaniae”. Nën mbrojtjen e Monarkisë Jugosllave, qarqet e Serbisë së Madhe vendosën të vepronin në mënyrë që ta ndalonin atë në hulumtimet e mëtejshme në historinë e Shqipërisë. Sapo u kthye nga Shqipëria, ai u sulmua egërsisht më 18 shkurt 1931 nga radikalët serbë të cilët i zunë pritë në Zagreb, pranë pragut të derës duke i çarë kafkën me çekiç. Pastaj agresorët hynë në apartamentin e Shuflait dhe vodhën dorëshkrimin e vëllimit të tretë të “Codex albanicus”. Shuflai vdiq një ditë më pas, më 19 shkurt 1931. Autoritetet madje refuzuan të hetonin vrasjen. Komuniteti shkencor ndërkombëtar u trondit nga lajmi i vrasjes së Milan Shuflait. Albert Ainshtain dhe Hainrih Man apeluan te Liga Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe komunitetit ndërkombëtar shkencor dhe kulturor duke protestuar kundër vrasjes së Milan Shuflait. Më 6 maj 1931, apeli i tyre u botua në faqen e parë të Nju York Tajms duke akuzuar drejtpërdrejtë mbretin jugosllav Aleksandri i Parë për përfshirje në vrasje. Guximi intelektual i Shuflait, dinjiteti dhe kurajo e tij njerëzore ishin të admirueshme, madje dhe sot janë frymëzuese. Ai ishte njeri i shquar dhe dijetar. Për kontributin e tij të vyer në afirmimin e popullit shqiptar në spektrin historik dhe letrar, në 2002 Milan Shuflait iu akordua nga Qeveria Shqiptare çmimi prestigjoz “Naim Frashëri i Artë” gjatë konferencës shkencore “Shuflaj dhe Shqiptarët” për veprën dhe kontributin e tij në studimet shqiptare mbajtur në Tiranë. Atij i atribuohet madje edhe zbulimi i Statutit të Drishtit që daton prej 1460 te një librashitës rruge në Vjenë. Ai ishte i talentuar edhe si shkrimtar. Në 1920, nën pseudonimin Alba Limi ai botoi një novelë historike të titulluar “Kostandin Balsha (1392-1402)”, një dëshmi tjetër e njohjes së thellë të popullit, traditave dhe historisë shqiptare. Në përsosmërinë e tij të jashtëzakonshme intelektuale, Shuflai vërtetoi se ishte edhe vizionar – përkatësisht në novelën e parë fantashkencore kroate “Në paqësor, viti 2255”, u botua në 1924 nën pseudonimin e Eamon O’leigh. Për shkak të kësaj novele ai konsiderohet si themeluesi i letërsisë fantashkencore kroate. Në këtë novelë ai parashikon Luftën e Dytë Botërore, rritjen e temperaturave globale, ndryshimet klimaterike, shpërthimin e feminizmit, shtimin e drograve dhe varësisë ndaj stimulantëve, vegjetarianizmi, OMGJ-të etj. Është e nevojshme dhe për tu vlerësuar çdo përpjekje për ruajtjen në memorje të jetës dhe veprës së Milan Shuflait, duke na kujtuar rëndësinë e respektit ndaj njëri-tjetrin dhe për ti kujtuar vendeve të rajonit pëmovimin e respektit reciprok dhe miqësisë mes njerëzve. Jelica Kristo, Këshilltare Ambasada e Republikës së Kroacisë në Republikën e Shqipërisë http://www.balkanweb.com/site/trashegimia-e-miqesise-se-milan-shuflait-mes-kroateve-dhe-shqiptareve/

Press releases