Title

Shfaqja, e cila nxjerr në pah sfidat e një çifti në kohën moderne ka triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar në Prishtinë. “Voliš li me?” (A më do?) nga Kroacia, me regji të Janez Vajevec, ka marrë Çmimin për shfaqjen më të mirë në “Prishtina International Theater Festival”, që organizohet nga kolegji ”AAB”. Të shtunën mbrëma, kur edhe është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve në Teatrin që mban emrin e aktorit me nam Faruk Begolli, ka përfunduar edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, shkruan sot “Koha Ditore”. Për shfaqjen më të mirë të vlerësuar nga juria profesionale, Çmimin e ka ndarë aktorja Adriana Matoshi. Regjisori i shfaqjes, Janez Vajevec, para publikut ka thënë se mund të flasë në shumë gjuhë, por më e mira është të flasë me gjuhën e emocioneve. Çmimi për regjisorin më të mirë e ka fituar regjisori grek Angelopoulos Tasos për shfaqjen e tij “Moskov Selim”. Drejtoresha artistike e Festivalit, regjisorja Burbuqe Berisha, ka ndarë Çmimin për aktorin më të mirë nga shfaqjet që kanë marrë pjesë në edicionin e sivjetmë. Ky Çmim i ka takuar aktorit nga Maqedonia, Tome Stanovski, për rolin e tij në shfaqjen “I’m Actor Human”. Për rolin më të mirë dytësor është shpërblyer aktori i gjeneratës së re nga Kosova, Mikel Markaj. Ai është pjesë e kastës së aktorëve në shfaqjen “Shumë zhurmë për asgjë” me regji të Zana Hoxhës. Pesë shfaqje ishin pjesë e garës së sivjetme të Festivalit, që kishte moton “Besim, dije, guxim”. “Shumë zhurmë për asgjë” nga Kosova nën regji të Zana Hoxhës, “Moskov Selim” nga Greqia e Angelopoulos Tasos, “I’m actor human” nga Maqedonia e Veriut e regjisores Tea Begovska, “Voliš li me” nga Kroacia e Janez Vajevec dhe “Truth or Dare” nga Bullgaria e Vasil Duev, ishin pesëshja e shfaqjeve garuese për çmimet e festivalit. (https://www.kultplus.com/teatri/shfaqja-kroate-triumfon-ne-prishtina-international-theater-festival/)

Press releases