Ministri Zemaj dhe Ambasadorja kroate Barishiq bisedojnë për Covid-19

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj priti sot në takim Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq. Në këtë takim Ministri Zemaj e ka njoftuar Ambasadoren Barishiq me mënyrën se si institucionet e Kosovës po ballafaqohen me pandeminë Covid-19 dhe sfidat në sistemin shëndetësor gjatë kësaj kohe. Ai tha se Ministria ka ngritur si kapacitetet spitalore ashtu edhe ato njerëzore me qëllim të ballafaqimit me këtë emergjencë të shëndetit publik. Ai ka falënderuar shtetin e Kroacisë që gjatë kryesimit të BE-së, Kosova ka qenë pjesë e kontributeve që Bashkimi Evropian ka ndarë për shtete të ndryshme në përgjigje ndaj Covid-19, përfshirë edhe Kosovën. Ambasadorja Barishiq vlerësoi se Kosova ka treguar angazhim të madh në menaxhimin e situatës me Covid-19 dhe theksoi faktin se është shumë me rëndësi që qytetarët e Kosovës t’i zbatojnë masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Press releases